Misteri i Vdekjes së Giorgos Mazonakis: Sekuestrimi i Ampulave në Klinikën ku ishte Shtruar
Policët greke sekuestruan dy ampula gjatë kontrollit në një klinikë private në Athinë, ku këngëtari Giorgos Mazonakis ishte shtruar. Hetuesit dyshojnë se ampulat përmbajnë flumazenil, një substancë që përdoret për të kundërshtuar efektet e disa medikamenteve qetësuese.

Kontrolli u zhvillua në klinikën e mjekëve Ioanna Gaka dhe Ilias Theodoropoulos, ku artisti kishte pësuar një kolaps. Sekuestrimi i ampulave lidhet me rezultatet e analizave toksikologjike, të cilat kanë identifikuar praninë e midazolamit në gjakun e këngëtarit. Flumazenili përdoret në kushte të caktuara për të neutralizuar efektet e benzodiazepinave, një grup medikamentesh ku bën pjesë edhe midazolami.
Eksperti mjekoligjor Giorgos Fitsialos ka dhënë hollësi mbi ekzaminimet e kryera. Specialistët kanë kontrolluar mostrat biologjike për rreth 1.600 substanca të ndryshme. Analizat kanë identifikuar olanzapinë dhe aripiprazol, dy medikamente antipsikotike, si dhe midazolam, flumazenil, lidokainë dhe propofol. Në rezultatet toksikologjike figurojnë gjithashtu kokaina dhe benzoilekgonina, një metabolit i saj që tregon ekspozimin ndaj kësaj substance.
Fitsialos ka vëçuar propofolin, midazolamin dhe flumazenilin si tri prej gjetjeve që kërkojnë vëmendje të mëtejshme gjatë hetimit. Propofoli përdoret për anestezi dhe sedacion, ndërsa midazolami ka veprim qetësues. Megjithatë, identifikimi i këtyre substancave nuk provon se ato kanë shkaktuar vdekjen e këngëtarit. Hetuesit duhet të sqarojnë mënyrën e administrimit, rrethanat e përdorimit dhe ndikimin e mundshëm të tyre në gjendjen shëndetësore të artistit. Autoritetet po presin edhe rezultatet e ekzaminimeve histologjike dhe toksikologjike nga laboratorët e Universitetit Aristotel të Selanikut. Këto analiza pritet të japin të dhëna shtesë për përcaktimin e shkakut të vdekjes së Giorgos Mazonakis.